Në Kaçanik përkujtohen dëshmorët Feriz e Xhevdet Guri
Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve komunale, familjarëve, miqve, organizatave të dala nga lufta dhe qytetarëve të shumtë, u mbajt një manifestim për nder të përvjetorit të 26-të të rënies së dëshmorëve Feriz dhe Xhevdet Guri.
Në këtë ngjarje përkujtimore, nënkryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, theksoi rëndësinë e sakrificës së dëshmorëve për çlirimin e vendit, duke nënvizuar se lufta e lavdishme e UÇK-së ishte kurorëzimi i përpjekjeve shekullore për liri.
“Po të mos kishte luftë, nuk do të kishim dëshmorë; e po të mos kishim dëshmorë, nuk do të kishim as lirinë”, ka thënë Vishi.
Në emër të familjeve të dëshmorëve, pjesëmarrësit i përshëndeti dhe falënderoi motra e Komandant Shpatës, Hajrie Guri Matoshi, duke shprehur mirënjohje për përkrahjen dhe ruajtjen e kujtimit të të rënëve.
Manifestimi u përcoll edhe me një program të shkurtër artistik të interpretuar nga artistet Elisa Vishi dhe Fiona Halilaj.
Pas përfundimit të manifestimit, u vendosën kurora me lule dhe u bënë homazhe në vendin e rënies si dhe në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.
Po ashtu edhe në Malishevë nën organizimin e Shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega në Malishevë dhe Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, u përkujtua me nderim 26-vjetori i rënies heroike të dëshmorit të kombit, Ibrahim I. Morina.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Mastrati në fjalën e rastit theksoi se Ibrahimi ishte dhe mbetet një simbol i luftëtarit.
“Sot, kur kanë kaluar plot 26 vite nga rënia heroike e Ibrahim I. Morinës, ndalemi me përulësi e respekt përpara kujtimit dhe veprës së tij ,si një biri i atdheut që zgjodhi përjetësinë për të na dhuruar lirinë. Ibrahim Morina nuk ishte thjesht një luftëtar. Ai ishte një ndër ata bij të Kosovës që në kohë të errëta vendosi të rrokë armët e të luftoi për çlirim dhe liri të popullin të vet. Ai me guximin dhe përkushtimin që tregoi në beteja ballë për ballë ushtrisë pushtues serbe do të mbetet frymëzim për brezat që vijnë, Ibrahimi ishte dhe mbetet një simbol i luftëtarit, i dinjitetit dhe i dashurisë së pakusht ndaj vendit”, ka thënë Kastrati. /Kosova.info/
