“Asnjë Cent Më Shumë” – Protesta e tretë qytetare kundër rritjes së tarifave nesër në Shesh
Nesër, me fillim nga ora 12:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, do të mbahet protesta e tretë qytetare nën moton “Asnjë Cent Më Shumë”, kundër rritjes së tarifave dhe politikave që rrisin koston e jetesës për qytetarët dhe bizneset vendore.
Shenoll Muharremi, një nga mbështetësit publik të kësaj nisme, e ka cilësuar këtë si një moment të rrallë në historinë e protestave në Kosovë – qytetare, të qëndrueshme, sistematike dhe të argumentuara, pa agjendë politike, por të mbështetura në interesin publik.
“Ky është pulsi i demokracisë. Të gjithë duhet me qenë krenarë me këtë. Po formësohet një kulturë e re, ku qytetarët janë të vetëdijshëm për të drejtën e tyre për të kërkuar llogari e transparencë,” shkruan Muharremi.
Ai përmendi se kjo frymë mund të zgjerohet edhe në qytete të tjera e mbi tema të tjera, siç janë taksat shtesë për tokën bujqësore apo shpenzimet e paarsyeshme të buxhetit të shtetit duke e përkufizuar këtë lëvizje si një përpjekje për ta mbrojtur ekonominë dhe mirëqenien publike.
Protesta pritet të sjellë për herë të tretë qytetarë të shumtë në rrugë për të kundërshtuar rritjen e tarifave dhe për të kërkuar një qeverisje më të drejtë e më transparente.
Organizatorët ftojnë qytetarët që të bashkohen në këtë protestë paqësore, me qëllimin e përbashkët për të mbrojtur çdo cent të shoqërisë kosovare. /Kosova.info/
