Miftari viziton Abacinë e Shën Nilit në Grottaferrata: Theksohet trashëgimia arbëreshe dhe bashkëpunimi kulturor

Shefi i Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari, zhvilloi një vizitë të veçantë në Grottaferrata të Italisë, ku që nga viti 1004 ekziston Abacia bizantine e Shën Nilit – një qendër e rëndësishme shpirtërore dhe kulturore, ku kanë vepruar dhe lënë gjurmë të thella priftërinj arbëreshë.

Vizita nisi me një pritje të ngrohtë në Bashkinë e Grottaferratës, ku z. Miftari u takua me kryetarin e bashkisë, Prof. Marco Di Bernardo. Të dy diskutuan mbi rëndësinë historike dhe kulturore të abacisë dhe kontributin e çmuar të priftërinjve arbëreshë në ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët. Shefi i misionit falënderoi z. Di Bernardo për përkushtimin e tij dhe të bashkisë në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy popujve përmes bashkëpunimit kulturor dhe artistik.

Më tej, i shoqëruar nga z. Angelo D’Ottavi dhe znj. Paola Megozzi, z. Miftari vizitoi ambientet e pasura të abacisë duke përfshirë dy bibliotekat – njëra prej të cilave është e mbrojtur si monument kulture – si dhe afreskat e rralla, manastirin dhe shtypshkronjën historike.

Në kuadër të vizitës, ai pati një takim të veçantë edhe me udhëheqësin e revistës “Rrënjët”, të cilin e falënderoi për rolin e rëndësishëm që revista ka luajtur në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore arbëreshe, si dhe në forcimin e lidhjeve ndërkulturore me Italinë dhe vendet e tjera.

Vizita e z. Miftari thekson përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të ruajtur lidhjet historike dhe kulturore me diasporën arbëreshe dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërkulturor me partnerë ndërkombëtarë. /Kosova.info/


Go to TOP