Kujtohen 9 dëshmorë të UÇK-së, pjesëtarë të Brigadës 133 ‘Adrian Krasniqi’

Në përvjetorin e 26 të Betejës së Vrellës, u kujtuan në një ceremoni nëntë dëshmorët që ranë për lirinë e Kosovës, pjesëtarë të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”.

Djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga treva e Podgurit iu bashkuan kushtrimit të Adem Jasharit nga Prekazi dhe zjarrit të luftës për liri të Haradinajve në Gllogjan. Ky zjarr çlirimi bëri që sot të jemi të lirë dhe të kemi shtetin tonë. Kështu u tha sot në ceremoninë përkujtimore për 26-vjetorin e Betejës së Vrellës, ku ranë nëntë dëshmorë të kësaj ane.

“Çdo popull që ka dashur ta fitojë lirinë, është dashur ta fitojë atë me beteja, mund dhe sakrifica. Në këto beteja ranë djem dhe vajza, burra e gra, trima të paepur që rrallë i takon historia dhe që janë futur në plejadën e lavdisë”, tha Ali Sefaj.

“Më 12 dhe 13 prill 1999, pas ofensivës barbare të forcave serbe, ishte qëndresa heroike e Brigadës 133 ‘Adrian Krasniqi’ dhe e djemve e vajzave të saj që mbrojti jo vetëm territorin, por edhe dinjitetin tonë si komb. Të gjithë dëshmorët që ranë në këto ditë lavdie ishin djem dhe vajza me zemër të madhe, me ëndrra për jetë, por që zgjodhën të mos jetojnë të përkulur e të shtypur por të vdesin për drejtësi e liri”, tha Gjeneral Xhavit Gashi.

“Në çdo orë historie që mbajmë në shkollat tona, unë nxënësve të mi iu them: derisa ju e gëzoni lirinë, ne ‘familjet e dëshmorëve’ ia dimë vlerën. Ata, edhe një milion jetë po t’i kishin, prapë do tëna i falnin neve, do t’ia falnin atdheut”, tha Mihrije Blakaj, përfaqësuese e “Familjeve të Dëshmorëve”.

Në Betejën e Vrellës, ranë dëshmorët: Ismet Bicaj, Abedin Dervishaj, Bujar Visoqi, Izet Shatri, Xhafer Mehmetaj, Skënder Maraj, Nezir Mujaj, Smajl Fetahaj, Xhafer Hasaj, si dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë të plagosur apo invalidë të luftës. Të gjithë ishin ushtarë të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, e cila mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri.


Go to TOP