Bajrami: Rritja e çmimit të rrymës me 16% – në funksion të mafisë energjetike

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për të rritur çmimin e energjisë elektrike për 16% duke e cilësuar këtë vendim si të papranueshëm dhe në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve.

Në një deklaratë publike, Bajrami ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për mbrojtje të interesave të kompanive energjetike private si KEDS dhe KESCO, ndërsa ka theksuar se bordi i ZRRE-së është i ndikuar nga partia në pushtet. Ajo e quajti këtë vendim si një hap të radhës në favor të “mafisë energjetike”.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike për herë të tretë, nën arsyetimin e rremë të kostove të operimit – që në fakt janë fitime për kompanitë – është barrë e papërballueshme për qytetarët, sidomos për ata me gjendje të rëndë ekonomike,” theksoi Bajrami.

Ajo paralajmëroi se ky vendim prek të gjitha kategoritë – familjarët, bizneset dhe sektorin publik – duke shkaktuar rritje të çmimeve në të gjitha produktet dhe shërbimet bazike, si ushqim, transport dhe veshmbathje.

LDK, përmes zërit të Bajramit, ka deklaruar se do ta kundërshtojë fuqishëm këtë vendim duke e konsideruar si dëshmi të qartë se Qeveria Kurti është e shkëputur nga realiteti i qytetarëve dhe se nuk është në shërbim të tyre.

“Rritja e çmimit të energjisë zvogëlon fuqinë blerëse, dëmton ekonominë, ul konkurrueshmërinë, mbyll biznese, rrit papunësinë dhe thellon deficitin tregtar. Kjo nuk është qeverisje për qytetarët, por kundër tyre,” përfundoi Bajrami. /Kosova.info/


Go to TOP