Mbërrijnë nga Italia 40 emigrantë me anijen ‘Libra’
Në Portin e Shëngjinit kanë mbërritur 40 emigrantë, të cilët më pas do të vendosen përkohësisht në kampin e Gjadrit.
Emigrantët janë transportuar për në portin e Shëngjinit përmes anijes “Libra”, ku siç shihet nga pamjet e siguruara nga RTSH, shfaqen edhe emigrantët që do të riatdhesohen në vendet e origjinës, pasi u është refuzuar azili.

Emigrantët pritet të transferohen drejtpërdrejt në qendrën e Gjadrit teksa janë kryer në Itali edhe procedurat e identifikimit. Afati maksimal i qëndrimit në qendrën e Gjadrit do të jetë 18 muaj.
Ndërkaq, përmes dekretit të saj qeveria italiane nuk ka ndryshuar destinacionin e qendrës, por synon ta përdorë atë edhe për ndalimin e emigrantëve të paligjshëm në pritje të dëbimit.
Emigrantëve të cilëve iu është refuzuar azili do të mbahen në Gjadër deri në 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të përgjigjen dhe të pranojnë kthimin e tyre.
Qendra e pritjes në Gjadër dhe Shëngjin janë ndërtuar si pjesë e një bashkëpunimi dypalësh dhe në kuadër të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë, qendër e cila ka për qëllim të sigurojë kushte e duhura për emigrantët gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm.
