Krasniqi pret delegacionin francez: Kërkon mbështetje për integrimin në BE dhe heqjen e masave ndëshkuese

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në selinë e PDK-së një delegacion të deputetëve të Kuvendit të Francës, të shoqëruar nga Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot. Në përbërje të delegacionit ishin znj. Marine Hamelet nga partia Rassemblement National (RN), z. Frédéric Petit nga Groupe Démocrate (MODEM), z. Pierre Pribetich nga Parti Socialiste (PS), dhe z. Jean-Louis Roumégas nga Groupe Écologiste et Social.

Krasniqi u shprehu falënderime të veçanta për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka ofruar Kosovës ndër vite, veçanërisht në rrugën e integrimit evropian. Ai theksoi nevojën imediate për formimin e institucioneve të reja dhe funksionale duke vënë theks të veçantë në krijimin e një qeverie që do t’i shërbejë interesave të qytetarëve.

“Në rrethana kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm dhe zhvillimi ekonomik ka ngadalësuar ritmin, qytetarët tanë kanë nevojë për udhëheqje të përgjegjshme dhe pro-evropiane,” tha Krasniqi duke shtuar se masat ndëshkuese të vendosura nga partnerët ndërkombëtarë vetëm sa e rëndojnë më tej situatën socio-ekonomike në vend.

Në takim, ai kërkoi nga deputetët francezë që të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe të inkurajojnë shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën të ndërmarrin një hap të tillë.

“Rruga jonë është drejt Evropës – bashkë me aleatët tanë dhe për qytetarët tanë,” përfundoi Krasniqi duke nënvizuar se partneriteti me Francën është kyç për të ardhmen euroatlantike të vendit. /Kosova.info/

Go to TOP