Matoshi: Kushtetuta – dokumenti që kosovarët ende nuk e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë

Publicisti Halil Matoshi ka reaguar në përvjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës duke ngritur një debat të thellë mbi natyrën dhe zbatimin e këtij dokumenti themeltar, të cilin ai e cilëson si “një prej më liberalëve në rajon për sa i përket të drejtave të komuniteteve etnike, por njëkohësisht edhe të ndërtuar mbi baza etnike dhe jo qytetare”.

Sipas Matoshit, Kushtetuta e Kosovës-derivat i Pakos së Ahtisaarit-në thelb është rezultat i një kompromisi të madh të shumicës shqiptare për të fituar njohje ndërkombëtare dhe pavarësi. Ai përmend si shembuj të këtij kompromisi të drejtën e vetos për komunitetet joshumicë në çështje kushtetuese, mekanizmin e votës së dyfishtë në Kuvend, përfaqësimin e garantuar në Qeveri (mekanizmi i Badinterit), decentralizimin, Asociacionin e komunave me shumicë serbe, statusin e Kishës Ortodokse Serbe dhe përdorimin e serbishtes si gjuhë zyrtare.

Matoshi thekson se, përkundër qartësisë së Kushtetutës në aspektin e rendit simbolik (flamuri, himni, stema), në praktikë ekzistojnë dy rende simbolike: ai shtetëror dhe ai kombëtar. Kjo, sipas tij, krijon një dihotomi të rrezikshme që dëmton kohezionin shtetëror dhe pengon ndërtimin e një shteti të mirëfilltë qytetar. Ai akuzon klasën politike për njohuri modeste mbi shtetformimin dhe për përdorim të dyfishtë të simboleve në mënyrë selektive, si nga shumica shqiptare, ashtu edhe nga komuniteti serb.

“Shkelja më e madhe që i është bërë Kushtetutës që nga 9 prilli 2008 është pikërisht tolerimi i këtyre dy rendeve simbolike dhe abuzimi me simbolet nga të dy anët,” shprehet Matoshi.

Ai e përmbyll analizën me një dilemë thelbësore që, sipas tij, kosovarët duhet ta zgjidhin: “A duan të jenë pjesë e një kombi unik shqiptar, çka presupozon bashkim me Shqipërinë dhe ndarje territoriale me Serbinë, apo të ndërtojnë një identitet të veçantë qytetar në një Kosovë unike dhe sovrane?”

Sipas tij, realiteti ndërkombëtar nuk lejon aneksime territoriale, ndërsa Kosova, si një shtet që nuk është ende anëtar i OKB-së, duhet të afirmohet si komb i ri dhe shtet mëvetësisht i barabartë në sistemin ndërkombëtar.

“Fatkeqësia në këtë vend është se elitat politike nuk e kuptojnë ende dallimin mes etnisë dhe kombit si konstrukt politik,” përfundon Matoshi. /Kosova.info/


Go to TOP