Profesori Xhelo Sulo nderohet me dekoratë për kontributin e shquar në Kongresin e Parë të UMVSh
Profesori dhe veterinari i njohur shqiptar, Xhelo Sulo, është nderuar me dekoratë për “Kontribute të Shquara” gjatë Kongresit të Parë të “Urdhërit të Mjekut Veterinarë Shqiptarë” (UMVSh), i cili u mbajt më 1 dhe 2 mars 2025 në qytetin e Durrësit. Edhe pse për shkak të një gjendjeje gripale nuk mundi të jetë fizikisht i pranishëm në sallë, Sulo u përfshi simbolikisht si delegat në këtë ngjarje madhore ndërkombëtare për profesionin veterinar.
Dekorata që iu dha atij, siç e përshkruan vetë, solli një “zbukurim të zemrës dhe shpirtit” në vitin e 16-të të pensionimit të tij duke e konsideruar këtë vlerësim një prej më të ndjerëve në karrierën e tij mbi 60-vjeçare në fushën e mjekësisë veterinare. Ai ka kontribuar ndër vite në praktikë, kërkime, edukim dhe botime, duke u vlerësuar më parë edhe nga Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti i Prishtinës.

Në një falënderim të ndjerë, ai shpreh mirënjohje të thellë ndaj organizatorëve të Kongresit dhe veçanërisht Presidentit Ervin Resuli duke uruar që ky kongres të shërbejë si nxitje për integrimin e mjekësisë veterinare kuantike dhe robotike në të ardhmen.
“Vitet ikin, kujtesa mbetet”, shkruan Sulo në fund të mesazhit të tij duke lënë pas një testament profesional të frymëzueshëm për brezat e rinj. /Kosova.info/
