Rama njofton kallëzim penal ndaj Inspektorit të Trashëgimisë Kulturore: Qeveria po bllokon zhvillimin e Prishtinës
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është iniciuar një kallëzim penal ndaj Inspektorit të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, për veprime që, sipas tij, bien ndesh me ligjin dhe dëmtojnë interesin publik.
Në një reagim të ashpër përmes rrjeteve sociale, Rama tha se të gjitha projektet madhore transformuese në kryeqytet janë bllokuar nga autoritetet qendrore. Ai e akuzoi qeverinë për pengesa të vazhdueshme me prapavijë politike dhe interesa të ngushta duke theksuar se ky sabotim ka ndodhur edhe në kundërshtim me ligjin.
“Gjatë mandatit tonë kemi kërkuar bashkëpunim të sinqertë me institucionet qendrore për të çuar përpara projektet që u shërbejnë qytetarëve të Prishtinës, por kemi hasur në pengesa sistematike. Si rrjedhojë, jemi detyruar të ndërmarrim hapa ligjorë për të mbrojtur të ardhmen e qytetit,” tha Rama.
Ai theksoi se veprime të ngjashme ligjore do të ndërmerren edhe ndaj çdo personi tjetër që, sipas tij, guxon të shkelë ligjin dhe të cenojë interesin publik. “Qytetarët meritojnë një Prishtinë të zhvilluar, dhe ne do të luftojmë me çdo mjet për t’ua siguruar këtë të ardhme,” përfundoi ai duke shtuar hashtagun #mosmabllokoPrishtinën.
Ky zhvillim shënon përshkallëzimin e tensioneve ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe institucioneve të qeverisë qendrore, me përplasje që tani po marrin edhe rrugë ligjore. /Kosova.info/
