Gjenerali Hadergjonaj përcjell me dhimbje komandantin Haki Limani: Plaku i maleve që solli shpresë në Koshare
Gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Hadergjonaj Bjeshka, përmes një postimi emocional ka përcjellë me dhimbje dhe respekt të thellë ndarjen nga jeta të komandantit Haki Limani – të njohur si “Plaku i maleve të Koshares”.
Ceremonia e varrimit u mbajt më 6 prill në Bjeshkët e Koshares, aty ku dhimbja dhe pikëllimi shfaqeshin qartë në fytyrat e familjarëve, bashkëluftëtarëve dhe miqve të shumtë që kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit një figure të dashur dhe të paharrueshme të luftës për liri.
““Plaku i maleve”, siç njihej Haki Limani, mbetet në kujtesën e bashkëluftëtarëve si simbol qëndrese, shprese dhe përkushtimi. Në Rrasën e Koshares, aty ku luftoi edhe djali i tij Arbeni, Hakiu dallohej për plisin e bardhë, për praninë e tij të vazhdueshme në front – duke sjellë luftëtarë të rinj, ushqime e municione. Ai ishte ndër më të dashurit për luftëtarët, jo vetëm për kontributin por edhe për shpirtin pozitiv e bashkues që rrezatonte”, shkroi ai.
Gjenerali Hadergjonaj e përshkroi Limanin si një njeri të hareshëm, modest dhe organizator të përkushtuar edhe pas luftës, i cili vazhdoi të jetë mik, bashkues dhe frymëzues për të gjithë ata që e njohën.
“Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës Haki Limani! Prehu në paqe pranë atyre që i deshe dhe të deshën! I përjetshëm do mbetet kujtimi!”, përfundon postimi prekës i Gjeneralit Hadergjonaj. /Kosova.info/
