Xhim Xhema financon ndërtimin e “Muzeut të Paqes” në Prishtinë – një testament i përjetshëm për paqen dhe historinë shqiptare

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një takim me veprimtarin dhe atdhetarin e shquar Xhim Xhema, të cilin e cilësoi si një privilegj të veçantë. Rama tha se Xhema ka qenë gjatë gjithë jetës një dritë shprese për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare, ndërsa sot vazhdon kontributin e tij përmes mbështetjes së historisë sonë kolektive.

Xhim Xhema do të jetë kontribuuesi kryesor në ndërtimin e “Muzeut të Paqes” në Prishtinë – një projekt që do të ruajë kujtesën historike të popullit shqiptar dhe do të shërbejë si një qendër edukimi mbi vlerat e paqes dhe demokracisë për brezat e ardhshëm. Sipas kryetarit Rama, Xhema ka marrë përsipër të sigurojë mbështetjen e plotë financiare për dizajnimin dhe ndërtimin e këtij muzeu.

“Muzeu i Paqes” pritet të forcojë identitetin e Prishtinës si një qytet që, përmes artit dhe dijes, nxit bashkëpunimin ndërkombëtar dhe kultivon frymën e tolerancës dhe paqes.

“Faleminderit, z. Xhim Xhema, për këtë kontribut të jashtëzakonshëm. Ky muze do të mbetet një testament i veprës suaj sublime për Kosovën dhe një burim frymëzimi për brezat që do të vijnë,” deklaroi Rama.

Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një kulture të kujtesës dhe reflektimit, duke nderuar ata që dhanë gjithçka për lirinë dhe të ardhmen e Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP