Presidentja Osmani iftar me të moshuarit në Suharekë: Solidariteti është vlerë që na bashkon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmë mori pjesë në një iftar të veçantë të organizuar në Shtëpinë e të Moshuarve në Suharekë, me ftesë të humanistit Halil Kastrati dhe organizatës “Jetimat e Ballkanit”.

Ky iftar, i mbushur me emocione dhe respekt, u zhvillua për të nderuar dhe falënderuar të moshuarit që kanë dhënë kontribut të çmuar për shoqërinë kosovare ndër vite.

“Nata e sotme ishte mundësi për të shprehur mirënjohje për ata që kanë dhënë kaq shumë për vendin tonë. Solidariteti është vlerë, e sidomos kur tregohet ndaj atyre që kanë më së shumti nevojë,” u shpreh Presidentja Osmani.

Ajo gjithashtu falënderoi organizatën “Jetimat e Ballkanit” për përkushtimin dhe punën e tyre të vazhdueshme në përkrahje të personave në nevojë, duke theksuar rëndësinë e humanizmit dhe ndihmës për të moshuarit e vetmuar.

Ky aktivitet ishte një shembull i bukur i vlerave njerëzore dhe solidaritetit që bashkon shoqërinë tonë, veçanërisht në muajin e shenjtë të Ramazanit. /Kosova.info/


Go to TOP