KEK-u aprovon tarifat e reja për partnerët

Në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.), të mbajtur sot, janë aprovuar tarifat me të cilat kapacitetet e prodhimit të KEK-ut do t’u ofrohen partnerëve afaristë për periudhën e ardhshme tarifore, që nis më 1 prill 2025 dhe përfundon më 31 mars 2026.

Sipas vendimit të Bordit, tarifat e aprovuar për këtë periudhë janë:

Për KESCO – shërbimi universal: 29.50 € për MW/h’

Për KEDS – humbjet në rrjetet e shpërndarjes: 36.00 € për MW/h dhe

Për KOSTT – humbjet në rrjetin e transmetimit: 36.00 € për MW/h.

Nga KEK theksojnë se tarifat e tyre si prodhues kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2019, duke reflektuar angazhimin e Korporatës për të mbajtur çmimet sa më të ulëta për konsumatorët, pavarësisht sfidave të vazhdueshme në sektorin energjetik.

“KEK vazhdon të mbetet kontribuuesi kryesor në sigurimin e çmimit më të përballueshëm të energjisë elektrike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Këtë e kemi arritur përkundër vështirësive të prodhimit, investimeve të vazhdueshme në mirëmbajtjen e kapaciteteve, pandemisë globale dhe krizës energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë,” thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Korporata garanton se do të vazhdojë angazhimin për stabilitetin energjetik të vendit dhe mbështetjen e konsumatorëve me tarifa të qëndrueshme dhe konkurruese. /Kosova.info/


Go to TOP