Rraci: Identifikohen kufomat e 7 shqiptarëve të ekzekutuar nga forcat serbe, pas 26 vitesh pritjeje

Në një moment tejet të dhimbshëm për familjet nga Klina, sot u konfirmua identifikimi i shtatë shqiptarëve të ekzekutuar nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës. Kufomat e tyre u gjetën në një varrezë masive në fshatin Bishtazhin duke i dhënë fund pritjes së gjatë dhe të mundimshme të familjarëve për të gjetur të dashurit e tyre.

Të identifikuarit janë: Sheremet Ismaili, Osman Fejza, Bekim Hasani, Mentor Myrtaj, Adem Gashi, Sahit Gashi dhe Shkelzen Hajdaraj. Ata ishin banorë të Klinës dhe u ekzekutuan nga regjimi serb 26 vite më parë. Për dekada, familjet e tyre kanë jetuar me dhimbjen dhe ankthin e mosnjohjes së vendvarrimit të tyre.

Alban Ismet Rraci, kryetar i degës së LDK-së në Klinë, shprehu ngushëllimet e tij për familjet dhe denoncoi qëndrimin e Serbisë zyrtare, e cila jo vetëm që nuk është distancuar nga krimet e saj të luftës, por vazhdon t’i fshehë ato.

“Sheremeti, Osmani, Bekimi, Mentori, Ademi, Sahiti dhe Shkelzeni u flijuan për lirinë tonë! Kujtimi për ta qoftë i përjetshëm!”, u shpreh Rraci.

Pavarësisht nga dhimbja, ky identifikim u jep familjeve mundësinë për t’i përcjellë të dashurit e tyre me nderimet e merituara dhe për të kërkuar drejtësi për krimet e kryera. /Kosova.info/


Go to TOP