Cakolli: Manipulimet vazhdojnë pavarësisht ndryshimeve, nevojitet digjitalizimi i numërimit të votave
Analisti Eugen Cakolli nga KDI ka ngritur shqetësimin se manipulimet me votat po vazhdojnë, pavarësisht zhvendosjes së numërimit në qendrat komunale dhe pranisë së vëzhguesve. Ai thekson se problematika nuk lidhet me vendin e numërimit, por me ata që e kryejnë atë duke kërkuar digjitalizimin e procesit për të shmangur manipulimet.
Sipas tij, rinumërimi i votave të kandidatëve të LDK-së në Vushtrri ka treguar dallime të mëdha. “Nga 96 vendvotime, vetëm në 15 nuk ka pasur dallime. Në 35 të tjera, diferencat janë mbi 10 vota,” ka shkruar Cakolli.
Ai thekson se investimi në qendrat e numërimit me kamera, vëzhgues dhe teknologji shtesë nuk ka ndaluar devijimet, ndaj alternativa më e sigurt mbetet digjitalizimi i plotë i procesit.
“Zgjidhja mund të jetë skanimi i fletëvotimeve të plotësuara me kimik unik, që garanton integritetin dhe shpejtësinë e procesit,” sugjeron Cakolli duke bërë thirrje për një reformë urgjente në administrimin e zgjedhjeve. /Kosova.info/
