Qeveria ndërton çerdhe të reja në Kamenicë dhe Gjilan, Kurti: Po mbulojmë mungesën e qeverive të kaluara

Kryeministri Albin Kurti ka vendosur sot gurthemelin e një çerdheje të re në fshatin Roganë të Kamenicës, duke vazhduar projektin e ndërtimit të tetë çerdheve në komunat e Kamenicës dhe Gjilanit. Sipas tij, qeveritë e mëparshme nuk kishin ndërtuar asnjë çerdhe në këto zona, ndërsa tani po investohet fuqishëm në edukimin e hershëm.

“Javën e kaluar vendosëm gurthemelin e çerdhes së re në Gjilan, ndërsa sot një tjetër në Roganë. Po ndërtojmë gjithsej tetë çerdhe në këto dy komuna, duke mbuluar një nevojë të kahershme të qytetarëve,” tha Kurti.

Objekti në Roganë do të ketë një sipërfaqe prej 600 metrash katrorë dhe do të akomodojë deri në 120 fëmijë. Punimet pritet të përfundojnë brenda një viti.

Kamenica ka pasur vetëm një çerdhe të ndërtuar në vitin 1981, e cila është rinovuar nga kryetari i komunës, Kadri Rahimaj. Me dy çerdhe të tjera në ndërtim, kjo komunë do të ketë një zgjerim të ndjeshëm të kapaciteteve për edukimin e hershëm, një sektor që sipas Kurtit është thelbësor për zhvillimin e brezave të ardhshëm.

“Urime banorëve, gëzuar fëmijëve dhe punime të mbara e të shpejta!” përfundoi Kurti. /Kosova.info/


Go to TOP