LBK kundërshton rritjen e tarifave të energjisë: Rrezikon bizneset dhe ekonominë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me propozimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, duke e cilësuar atë një goditje serioze për ekonominë dhe sektorin privat.

Sipas LBK-së, kjo rritje do të rëndojë ndjeshëm bizneset prodhuese dhe të shërbimeve, duke rritur kostot operative dhe ulur konkurrueshmërinë në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Për më tepër, një vendim i tillë pritet të shkaktojë një efekt zinxhir, duke ndikuar në rritjen e çmimeve për konsumatorët dhe në fuqinë blerëse të qytetarëve.

“Një rritje e tillë e tarifave do të detyrojë bizneset të përballen me kosto shtesë, gjë që mund të çojë në ulje të investimeve dhe humbje të vendeve të punës,” thuhet në reagimin e LBK-së. Po ashtu, theksohet se një situatë e tillë mund të dëmtojë eksportet dhe të zvogëlojë interesin e investitorëve të huaj për Kosovën.

LBK u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të rishikojnë këtë propozim dhe të shqyrtojnë alternativa që nuk e rëndojnë më tej sektorin privat dhe ekonominë. Organizata thekson se do të vazhdojë të mbrojë interesat e bizneseve dhe të angazhohet për politika të qëndrueshme ekonomike që sigurojnë zhvillim dhe stabilitet afatgjatë. /Kosova.info/


Go to TOP