Rama: Investime të reja në Ku’zinën Qendrore dhe tregun e gjelbër për fermerët e Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar plane të reja për zhvillimin e Ku’zinës Qendrore dhe avancimin e programit për ushqyerjen e shëndetshme. Kjo iniciativë synon të forcojë mbështetjen për grupet më të ndjeshme të shoqërisë, përfshirë fëmijët në programin e mësimit gjithëditor dhe të moshuarit në shtëpitë e kujdesit.
Sipas Ramës, investimet e Komunës në këtë kuzhinë tashmë kanë dhënë rezultate të dukshme duke siguruar që ushqimet të përgatiten sipas rekomandimeve të nutricistëve, me një dietë të shëndetshme dhe të balancuar. Për të garantuar cilësinë dhe freskinë e produkteve, Komuna ka zgjeruar bashkëpunimin me fermerët lokalë dhe sektorin privat.
Treg i gjelbër për fermerët e Prishtinës
Një nga risitë kryesore të këtij projekti është krijimi i një tregu të gjelbër, ku fermerët e kryeqytetit do të mund të shesin produktet e tyre bio direkt tek qytetarët. Rama theksoi se Komuna do të subvencionojë prodhimet vendore, duke krijuar kështu një ekonomi qarkore që përfiton nga bashkëpunimi mes Ku’zinës Qendrore dhe bujqve të Prishtinës.
Festivale stinore për promovimin e jetesës së shëndetshme
Një hapësirë e veçantë do t’i kushtohet organizimit të festivaleve stinore, ku qytetarët do të kenë mundësi të shijojnë ushqime të freskëta dhe të marrin pjesë në aktivitete që promovojnë jetesën e shëndetshme dhe ndërveprimin komunitar.
“Kjo iniciativë është më shumë se një investim në ushqimin e përditshëm, është një vizion për një qytet më të shëndetshëm, më të lidhur dhe më të qëndrueshëm,” theksoi Përparim Rama. /Kosova.info/
