Kandidati i pavarur, Fatmir Bytyqi kërkon besimin e qytetarëve

Kandidati i pavarur për deputet, Fatmir Bytyqi e ka përmbyllur fushatën, duke u bëri thirrje të gjithë qytetareve që nesër të dalin sa më shumë dhe te shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Kandidati i pavarur për deputet, Fatmir Bytyqi, në përmbylljen e fushatës zgjedhore të 9 shkurtit, tha se programi i tij është fokusuar në tri pika kryesore.

“Këtu kisha dashur të veçoj, luftën kundër dhunës ndaj femrës në shoqërinë tonë, i cili është projekt 50 vjeçar që do të thotë merr një kohë shumë të gjatë. Më shumë e fokusuar për gjeneratat e ardhshme që të mos përjetojnë dhe të mos ushtrojnë dhunë sikurse sot që ushtrojnë dhunë apo në të kaluarën në mënyrën më të vrazhdë që kanë ushtruar dhunë”, theksoi ai.

Bytyqi tha se dy pika tjera të një rëndësie të veçantë në programin e tij, janë edhe reforma në sistemin arsimor dhe ajo e organizimit të subjekteve politike.

“Reforma e sistemit arsimor mendoj se më së miri të bëhet asisoj që i gjithë buxheti për arsim të ndahet për kokë nxënësi, si letër me vlerë t’u jepet prindërve e pastaj prindi vetë të vendos për mënyrën dhe shkollën se ku do të shkollohen fëmijët e tyre. Prindërit duhet ta marrin në dorë fatin e fëmijëve të tyre për përgatitjet profesionale në të ardhmen… Unë mendoj se edhe brenda partive politike duhet të kemi ndarje të pushtetit sikurse e kemi në pushtet, që do të thotë se një pjesë e partive politike mund të kandidojnë si deputet por nuk mund të kalojnë pastaj në qeveri dhe prej qeverisë prapë nuk mund të kalojnë si deputet. Kësisoj do ta ulim shumë presioni nga qeveria ndaj deputetëve në rast se nuk përkrahen iniciativa të ndryshme ligjore që të shkohet në zgjedhje e të njëjtit më të mos jenë nëpër lista zgjedhore”, theksoi Fatmir Bytyqi, kandidat i pavarur për deputetet.

Bytyqi u bëri thirrje të gjithë qytetareve që nesër të dalin sa më shumë dhe te shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Go to TOP