Rushiti: Dhuna seksuale la plagë të thella në shoqërinë tonë

Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Kosovë, Feride Rushiti, në një diskutim publik ku u fol për punën që çoi deri te nominimi i saj për Nobel, tha se dhuna seksuale gjatë luftës ka lënë pasoja të thella në shoqërinë kosovare.

“Dhuna seksuale si armë e luftës ka efekt radioaktiv, nuk e atakon vetëm viktimën vertikalisht, por realisht e atakon gjithë familjen. Dhimbjet e pasluftës kanë pasur emër dhe s’kanë pasur emër. Deri sa është folur publikisht për të vrarët, për të zhdukurit, për dhunën seksuale nuk ka pasur diskurs shoqërorë e nuk ka pasur hapësirë që të flitet”, tha ajo.

Rushiti në këtë diskutim foli për seancën parlamentare të vitit 2014, ku u diskutua ligji në bazë të të cilit viktimave të dhunimeve seksuale gjatë luftës do t’u njihej e drejta ligjore dhe respekti.

Ajo tha se në atë seancë, gjuha që disa deputetë patën përdorur ka qenë gjuhë diskriminuese.

“Ka qenë e dhimbshme gjuha diskredituese, një gjuhe e urrejtjes, një gjuhe e pabesisë për mënyrën se si është plasuar kjo plagë që reflekton komplet masën shoqërore. Pastaj ato verifikimet përmes gjinekologut, pastaj numrin e diskutonin e kështu me radhë. Po gjithë ky lloj diskursi që mbizotëroi në Parlament na ka shërbyer që të punojmë edhe më fuqishëm”, shtoi ajo.

Rushiti shtoi se dhuna psikologjike është ajo që po i përcjell ende këto viktima.

Go to TOP