Engjëll Koliqi: Qeveria Kurti e ka shkelur ligjin me vetëdije, të ndëshkohen për skandalin me tender
Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Engjëll Koliqi, ka komentuar zhvillimet e fundit pas publikimit të bisedave në What’sApp, ku Besnik Bislimi i kërkon Nagip Krasniqit t’ia japë tenderin për riparimin e kalldasë së bllokut A5 një kompanie që s’i ka plotësuar kushtet
Kandidati me numrin 103 ka deklaruar se Kosova ka stagnuar në politikën e jashtme.
Ai ka thënë se Albin Kurti dhe Qeveria e tij, jo vetëm që kanë kryer shkelje ligjore, por se këtë e kanë bërë me vetëdije të plotë, duke qenë anëtarë në grupin në What’sApp ku janë zhvilluar këto biseda.
Sipas Koliqit, një gjë e tillë dëshmon se Qeveria Kurti nuk është e interesuar për sundim të ligjit dhe zgjon dyshime për keqpërdorime më të mëdha dhe dilema të tjera në fushën energjetike.
“Duhet të ketë hetim të mirëfilltë. Ky nuk është skandali i parë që po bëhet publik në sferën e energjisë, si dhe mund të ketë plot skandale tjera që publiku nuk i di. Qeveria Kurti duhet të japë përgjegjësi penale dhe politike për këto skandale. Për përgjegjësinë penale, duhet ta presim epilogun, pasi rasti është në proces e sipër, kurse përgjegjësinë politike duhet t’ia adresojnë qytetarët me mosdhënie të votës.”, ka përfunduar Koliqi.
