Krasniqi: Lufta kundër gazetarëve, hap drejt fashizmit që duhet ndalur
Profesori dhe analisti Milazim Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së kreut të LVV-së, Albin Kurti, dhe përkrahësve të tij, duke i akuzuar për etiketime dhe fyerje të rënda ndaj gazetarëve. Sipas Krasniqit, kjo sjellje është e ulët, e turpshme dhe përbën një kërcënim për lirinë e medias.
Duke ndarë përvojën e tij personale nga leximi i librit “Presidenti Rugova në shtypin italian e gjerman” të Bejtullah Destanit, Krasniqi thekson se gabimet në gazetari janë të pashmangshme për shkak të mungesës së burimeve apo kohës së kufizuar, por ato nuk i shndërrojnë gazetarët në armiq. Ai paralajmëron se sulmet ndaj gazetarëve janë një shenjë e rrezikshme drejt instalimit të fashizmit, një sistem që, sipas tij, i sulmon mediat dhe nuk mund të çmontohet pa pasoja të rënda.
Krasniqi bën thirrje për debat, transparencë dhe demante si mënyrat e duhura për të trajtuar çdo keqinformim, duke theksuar se lufta ndaj gazetarëve sot mund të çojë në sulme ndaj profesionistëve të tjerë nesër. Ai përfundon me një apel të fuqishëm: “Fashizmi duhet të luftohet para se të instalohet.” /Kosova.info/
