Vdes banori i fundit i fshatit Vërnez
Petar Periç, banori i fundit i Vërenzit, fshati i vendosur në juglindje në Viti, që ishte braktisur nga të gjithë, vdiq paraditen e së premtes. Këtë e kanë konfirmuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti ndërkohë infermierja e fshatit Letnicë afër Vërnezit, Maria Berishaj njoftoi se 90 vjeçari ishte në përkujdesjen e infermiereve të fshatit derisa ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, në Letnicë ku ishte sjellur për trajtim mjekësor e përkujdesje.
“Para një jave një motër e jona, e shoqërua nga policia, kishte shkuar për ta marrë plakun bashkë me punëtorin e kishës dhe sjellë këtu në një objekt të kishës. Na jemi përkujdesur gjithë javën për të, e kemi trajtuar nga ana shëndetësore, pastruar e ushqyer, ky sot ka ndërru jetë. Të gjitha motrat çka jemi këtu kemi qenë afër tij, ka pasur të gjitha përkujdesjet e nevojshme dhe nuk ka qenë vetëm javën e fundit. Jemi kujdesur për shëndetin e tij”, tha infermierja e fshatit për PlusTV.
Ai nuk kishte pranuar asnjëherë ta lëshojë vendlindjen dhe nëpër vite përcolli banorët tjerë që e braktisën fshatin, derisa ai ndjeu nevojë që të rrinte në vendin ku u lind.
Viteve të fundit ai kishte jetuar në kushte të vështira me ndihmat që merrte nga bamirësit në një shtëpi kasolle pa njeri afër, pa ujë e pa rrymë, në rrënoja dhe me gjithçka tjetër që banorët kishin lënë pas. I ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore e kujtesa por nga vendbanimi i vet s’u nda asnjëherë.
Historia e personit në fjalë dhe dashuria e tij për vendlindje, ngjalli emocione deri në atë pikë sa shpesh ka pasur njerëz që udhëtonin për ta vizituar atë dhe fshatin por nuk kanë munguar as vizitat e gazetarëve që shkruanin për jetën e tij vetmitare në një brez kufitar, rreth 13 km larg Vitisë. I ndjeri do të varroset në varrezat e fshatit Letnicë.
