LVV kërkon anulimin e vendimit për pjesëmarrje të Listës Serbe në zgjedhje
Lëvizja Vetëvendosje, bëri të ditur se sot ka dorëzuar, përmes postës, ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe në emër të Komisionit Qendror Zgjedhor, me kërkesën për anulimin e këtij vendimi.
LVV thotë se ditë më parë “KQZ në mënyrë të paprecedent dhe në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e lejoi Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje”.
“Nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, thuhet në kërkesën e LVV-së.
Sipas këtij subjekti politik, ‘Lista Serbe ka qenë dhe mbetet partia e kryeterroristit Radojçiq. Ajo dikur përdorej nga Radojçiqi kundër shtetit të Kosovës, kurse tani po shërben si struktura që mbron dhe amniston terrorizmin”.
“Institucionet e pavarura të Republikës, siç është KQZ jo vetëm që duhet të mbrojnë vlerat si rendi ligjor e kushtetues, por së paku duhet të ruajnë integritetin e tyre institucional. Nuk mund të lejohet që për t’i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për Zgjedhje dhe çdo praktikë e rregullt”, thuhet tutje në njoftimin e kësaj partie.
Andaj, Lëvizja vetëvendosje thotë se përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe.
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, më 23 dhjetor në mbledhjen e KQZ-së votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit të këtij viti.
Ndryshe Lista Serbe është ankuar në PZAP, pasi në mbledhjen e 23 dhjetorit të KQZ-së, ky institucion nuk e ka certifikuar këtë subjekt politik, pas kundërshtimeve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, me arsyetimin se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës. /Kosova.info/
