Kajtazi: Gërvalla ka implikuar AKI-në, prokuroria duhet të sqarojë rastin

Opinionisti Vehbi Kajtazi deklaroi se drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla, ka implikuar institucionin kryesor të sigurisë, AKI-në lidhur me lajmin Slobodna Bosnës të publikuar nga mediumi publik para ca muajsh, ku thuhej se dy mediume në Kosovë financoheshin nga Serbia.

“Këtu ka implikime goxha të zgjeruara në vepra penale, këtu ka probleme shumë të mëdha. E para që AKI-ja nuk guxon të nxjerrë informacione, sepse janë informacione të klasifikuara dhe kushdo që nxjerr informacione nga brenda i kap ligji, dhe tjetra që AKI-ja nuk mund të shpërndajë informacione me dikë që nuk është i autorizuar, pra dy elemente janë këtu që bien në kundërshtim me njëra tjetrën”, deklaroi Kajtazi në emisioni Rubikon në Klan Kosova, duke iu referuar deklarimit të Gërvallës se informacionet i kishte marr nga AKI-ja lidhur me lajmin e publikuar në RTK.

“Këtu duhet prokuroria të merret dhe të sqarojë rastin deri në fund sepse ka të bëjë me rrezikim të jetës së njerëzve. Në ditët e sotme nëse dikujt i thua bashkëpunëtor i terroristit Milan Radoiçiq, nuk mundet ai person të jetë në liri së bashku edhe me atë që e ka thënë, sepse je automatikisht pjesë e grupit terrorist, për çka ty të kap ligji dhe dënimi shumë i fortë nëse je një bashkëpunëtor i një terroristi e financohesh prej një terroristi”, shtoi Kajtazi.

Ndërkaq, Gërvalla me anë të një postimi në Facebook, shkroi se AKI nuk ia ka përgatitur e as dërguar lajmin, sepse siç shkroi, “lajmi ka qenë i botuar në një medium tjetër dhe nëpër mediume tjera që nga mëngjesi, pra ka qene lajm publik”.

Go to TOP