Ndihmohen me nga një lopë qumështore 57 blegtorë të Prizrenit
Komuna e Prizrenit ndihmoi blegtorët me nga një lopë qumështore të importuar nga Çekia. Fermerët participuan me 15% të vlerës. Nga kjo ndihmë përfituan 57 fermerë nga fshatrat e ndryshme të Prizrenit.
Edhe pse ka kullota të mjaftueshme për kultivimin e bagëtive të ndryshme, shumica e blegtorëve të komunës së Prizrenit janë fokusuar në mbarështimin e bagëtive të trasha në regjim stallor. Ata janë të kënaqur me këtë zeje të trashëguar nga të parët e tyre. Thonë se mesatarisht i plotësojnë kushtet e jetesës me blegtori. Subvencionet thonë se i marrin, ndonëse ndonjëherë edhe vonohen.
“Ne jemi munduar që të sjellim në Kosovë lopë që i përgjigjen terrenit dhe kushteve klimatike,kryesisht këto janë shumë produktive edhe për qumësht, por edhe për sasi të mishit”, ka thënë Bexhat Bytyqi, Drejtor i bujqësisë
“Drejtoria e bujqësisë e ka rritur për 100% mbështetjen për fermerët në të gjithë fushën e veprimtarisë së saj, përfshirë këtu edhe shpërndarjen e lopëve sot”, ka thënë Kujtim Gashi – Nënkryetar i komunës së Prizrenit
Komuna e Prizrenit numëron rreth 1000 fermerë të regjistruar, ndërsa aktivë janë rreth 750.
