Mbërrin sot anija me mbetje të rrezikshme, protestë në Portin e Durrësit
Një grup aktivistësh të shoqërisë civile, me mbështetjen e Partisë Demokratike, po protestojnë kundër kthimit të mbetjeve të rrezikshme në Portin e Durrësit. Ambientalisti Sazan Guri deklaroi për mediat se këto mbetje, të cilat po transportohen sërish drejt Shqipërisë, nuk janë thjesht toksike apo industriale, por shumë të rrezikshme.
“Një anije e madhe po kthehet me mbetje që fillimisht dukeshin si mbetje industriale, që mund të përdoreshin për qëllime të tjera. Por tani që këto mbetje janë gjurmuar dhe janë konsideruar të papranueshme për destinacionin që kishin, Tajlandën, dyshojmë se kemi të bëjmë me mbetje jo vetëm toksike, por tepër të rrezikshme,” tha Guri.
Partia Demokratike në një deklaratë të mëparshme njoftoi se protesta kundër këtyre mbetjeve synon të sensibilizojë opinionin publik dhe të sigurojë transparencë mbi procesin e mbetjeve të rrezikshme që rrezikojnë jetën dhe mjedisin.
Ky alarm për mbetjet toksike ka nxitur një debat mes opozitës dhe qeverisë, ndërsa A2 raporton se Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet që nga 21 gushti mbi transportin e dhjetëra kontejnerëve me mbetje të rrezikshme, të dyshuara se kanë kaluar nga territori shqiptar drejt Tajlandës.
Prokuroria po heton mbi tri akuza: “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara,” “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Transportimi i mbetjeve”.
