Sinani: Diskriminim i vazhdueshëm në kufi dhe përndjekje nga lista e Vulin

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, në një postim në Facebook, ka thënë se sa herë e kalon kufirin, ndalohet nga policia kufitare serbe dhe mbahet me raste deri në një orë, pa ndonjë arsye apo justifikim.

Ajo ka theksuar se ky trajtim është i papranueshëm dhe është një formë e qartë presioni dhe diskriminimi.

Sipas kryetares së Preshevës, kjo nuk është rastësi por një përndjekje e orkestruar për të frikësuar zërat kritikë dhe ata që luftojnë për të drejtat e shqiptarëve.

“Tashmë zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka pranuar hapur krijimin e një “liste të zezë – blacklist” të individëve të konsideruar të padëshiruar nga qeveria serbe. Kjo listë jo publike, besohet se përfshin emra të atyre që kundërshtojnë politikat e qeverisë, veçanërisht në lidhje me pakicat etnike dhe disidentët politikë.

Është e qartë që kjo nuk është një rastësi, por një përndjekje e orkestruar, e lidhur ngushtë me listën famëkeqe të Vulin, ku individë të padëshiruar për të dhe zëra të guximshëm për të drejtat e shqiptarëve gjenden në shënjestër të shtetit.

Kjo listë është krijuar për të frikësuar dhe heshtur ata që guxojnë të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve.
Por, asnjë formë presioni apo përndjekjeje nuk do të më ndalojë të vazhdoj punën time për të drejtat dhe dinjitetin e popullit tim. Kjo është një betejë për të gjithë ne, dhe unë jam më e vendosur se kurrë për të vazhduar”, ka shkruar Ardita Sinani. /Kosova.info/

Go to TOP