Analistët në Beograd thonë se Serbia nuk ka vullnet ta pranojë realitetin
Shtyrja e dialogut Kosovë-Serbi do të ndodhë për shkak të zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, pushimeve verore dhe emërimin e emisarit të ri. Këto janë parashikimet që japin analistët në Beograd. Megjithatë, cilësohet si thelbësore që pjesa më e madhe e marrëveshjes së Ohrit të zbatohet.
“Në pjesën më të madhe, ajo që rezulton të jetë një detyrim nga konteksti i marrëveshjes duhet të zbatohet, pavarësisht nëse është rënë dakord për çdo detaj të një marrëveshjeje të ardhshme që një ditë do të duhet të miratohet ose të nënshkruhet. Është e pavolitshme të komentohen afatet, sepse kemi pasur afate për Marrëveshjen e Ohrit dhe e shohim se sa kohë ka kaluar. Askush nuk emocionohet veçanërisht për këtë”, deklaroi Zoran Vulletiq nga Forumi Demokratik Qytetar.
Beogradi zyrtar vazhdimisht tregon se çështja kyçe në dialog e që nuk është përmbushur është Asociacioni i Komunave me shumice serbe. Megjithatë, siç thekson Vulletiq, Beogradit i mungon vullneti politik për të pranuar realitetin në Kosovë.
“Gjithçka varet nga vullneti, para së gjithash, i Beogradit, si dhe i gjithë strukturave politike, mediave, akademisë së shkencave, të cilat duhet t’u shpjegojnë qytetarëve të Serbisë në një mënyrë tjetër çfarë ka ndodhur me Kosovën, të paraqesim një pasqyrë realiste dhe situatën në të cilën ndodhemi në raport me Kosovën dhe Kosovën në raport me ne, dhe të mos bëjmë drama dhe minikonflikte nga çdo hap që është i qartë dhe që ndan formalisht Kosovën nga Serbia”, theksoi Zoran Vulletiq.
Analistët politik në Beograd vlerësojnë se kjo është një periudhë kur nuk ka rezultate as në çështje teknike, as në atë politike. Siç theksohet, ende nuk ka indikacione se ajo që është rënë dakord me Marrëveshjen e Ohrit është duke u zbatuar.
