Hoti i tregon qartë katër problemet me Ligjin për pagën minimale

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përmendur katër problemet e Ligjit për pagën minimale, që kaloi javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, është treguar fare i qartë në shpjegimin e tij.

Problemi i parë ka të bëjë me mospërfilljen e procedurave ligjore për caktimin e pagës minimale me mosdakordimin me partnerët socialë (Qeveria, bizneset dhe sindikatat). Pra, ky dakordim nuk është thjesht në vullnetin e Qeverisë së Kosovës.

Një tjetër problem është edhe formula për caktimin e pagës, një mospërfillje e kostos së jetesës e cila është shtrenjtuar ndjeshëm me rritjen e çmimeve.

Ai ka përmendur edhe shkeljen e dy konventave të Organizatës Botërore të Punës për hapat që duhet ndjekur për caktimin e pagës minimale.

Ndërkaq problemi i fundit i përmendur është se niveli 250 euro ishte bërë në vitin 2022 para inflacionit shtesë.

Postimi i plotë i Hotit, pa ndërhyrje:

Katër problemet e pagës minimale, që u miratua javën e kaluar me ligj:

1. Nuk është përfillur procedura ligjore për caktimin e pagës minimale, pasi nuk ka pasur dakordim mes partnerëve socialë (qeverisë, bizneseve dhe sindikatave);

2. Nuk është përfillur formula për caktimin e pagës minimale, e cila formulë bazohet në koston e jetesës;

3. Janë shkelur dy konventa të Organizatës Botërore të Punës lidhur me hapat që duhet ndjekur për caktimin e pagës minimale;

4. Niveli prej 250 eurove i pagës minimale është caktuar vitin e kaluar, para inflacionit që përjetuam dhe sot nuk vlen ai vlerësim pasi janë rritur dukshëm çmimet e mallrave elementare.

Go to TOP