Përfundon dëshminë dëshmitari i 15-të, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rinis më 14 gusht

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, me përfundimin e dëshmisë së dëshmitarit të 15-të me radhë (me kodin 04586), gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të rinis më 14 gusht 2023.

Dëshmitari me kodin 04586 ka dëshmuar përmes video-lidhjes, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Duke qenë se ekipet e mbrojtjes nuk kanë pasur pyetje për këtë dëshmitar, seanca ka vazhduar me pyetjet e trupit gjykues.

Me pyetje ka filluar anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Guenawl Mettraux, i cili e ka pyetur atë nëse i njëjti i kishte raportuar dikujt atë që i kishte ndodhur anëtarit të familjes së tij, e që dëshmitari u përgjigj me ‘‘po’’.

Ndërkaq, kur u pyet se kujt ia kishte treguar këto ngjarje, DhSK-ja ka vendosur që përgjigja e dëshmitarit të ketë përmbajtje të redaktuar dhe kështu ka mbetur edhe pjesa tjetër e përgjigjeve të tij.

Më tej, një pjesë e shkurtë e deklarimit të tij ka qenë në seancë publike por që ka qenë e pamundur të kuptohen plotësisht deklarimet e dëshmitarit.

Në këto rrethana, dëshmia e tij ka përfunduar dhe se gjykimi për këtë çështje gjyqësore do të rinis më 14 gusht, pas pushimit të Gjykatës Speciale, me dëshmitarët e radhës.Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith paraprakisht tregoi se të akuzuarit Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë hequr dorë nga prania e tyre në sallë për këtë seancë dhe të njëjtën e kanë përcjellë përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Go to TOP