S’ka kuorum, dështon mbledhja e Komisionit Parlamentar për Buxhet
Në mungesë të kuorumit, dështoi mbledhja e Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Mbledhja ishte paraparë të mbahej në orën 10:00, por që në mungesë të kuorumit e njëjta është shtyrë për në orën 11:00.
Pavarësisht që të pranishëm në sallë ishin edhe deputetët e opozitës, të njëjtët nuk morën pjesë në votimin e rendit të ditës, për të cilin mazhoranca s’i pati votat e mjaftueshme për ta shtyrë para.
Me këtë rast, kryetari i këtij komisioni Armend Muja njoftoi se mbledhja do të shtyhet për të hënën.
Në këtë mbledhje ishte paraparë të shqyrtohej raporti vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2022 dhe raporti vjetor financiar i Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2022. /rtk
