Nga ndërtimi te patundshmëria, Expo Real Kosova mbledh kompani nga vendi dhe bota
Panairi treditor Expo Real Kosova po mbledh kompani vendore dhe ndërkombëtare nga sektori i ndërtimit, patundshmërisë, arkitekturës, dizajnit dhe materialeve ndërtimore, me synimin për të krijuar një pikë të përbashkët për investime dhe bashkëpunim në këtë industri.
Edicioni i dytë i këtij panairi, i organizuar nga PR Solutions dhe Modus, po mbahet në Prishtina Mall. Krahas ekspozitës, këtë vit po organizohen edhe panele diskutimi dhe prezantime të projekteve të kompanive pjesëmarrëse.
Drejtoresha ekzekutive e PR Solution, Sherife Kçiku-Vishaj, tha se suksesi i edicionit të kaluar ka bërë të mundur organizimin e një panairi dukshëm më të madh këtë vit.
“Exporeal Kosova ngërthen në vete të gjitha kompanitë që lidhen në sektorin e ndërtimit, përfshirë kompanitë ndërtuese, materialet ndërtimore, kompanitë e patundshmërive e po ashtu e kemi edhe sektorin e bankave. Kështu kemi krijuar një zinxhir për t’ua lehtësuar vizitorëve apo klientëve potencialë prej momentit kur ata vendosin të blejnë shtëpi, të blejnë banesë apo edhe të ndërtojnë shtëpi, sepse e ceka që kemi edhe materiale ndërtimore. E kemi krijuar një zinxhir dhe përveç asaj që kompanitë e kanë mundësinë të promovojnë veten e tyre, ua kemi lehtësuar edhe të kenë në një vend në gjithë zinxhirin e kompanive që ndërlidhen në fushën e industrisë së ndërtimit”, tha ajo.
Ndryshe nga edicioni i parë, këtë vit panairi ka dyfishuar hapësirën ekspozuese, duke rritur numrin e kompanive pjesëmarrëse dhe duke zgjeruar pjesëmarrjen edhe me kompani nga vende jashtë rajonit, si Turqia, Zvicra dhe Dubai.
Sipas Vishajt, një tjetër risi janë panelet që mbahen çdo ditë nga ora 14:00 deri në 15:00, me tema të fokusuara në ndërtim dhe patundshmëri. Ndërsa, nga ora 16:00 deri në 18:00 prezantohen projektet nga kompanitë pjesëmarrëse.
Ajo tha se synimi është që panairi të mos mbetet vetëm një hapësirë prezantimi për kompanitë, por edhe të krijojë vlerë përmes diskutimeve profesionale dhe shkëmbimit të përvojave.
“Tashmë PR Solutions dhe Modus ka krijuar një super ekip dhe e kemi një rrugë pak më të lehtë në organizimin e eventeve. A është e vështirë? Është e vështirë, por kur e ke një ekip të specializuar në secilën fushë dhe të organizuar mirë, atëherë gjithçka bëhet më e lehtë”, tha ajo.
Një nga kompanitë pjesëmarrëse është edhe Durrës Tower, e cila prezanton projektin e saj në qendër të Durrësit.
Përfaqësuesi i kompanisë, Marius Çela, tha se objekti po ndërtohet në një lokacion strategjik dhe synon të bëhet një pikë referimi për qytetin.
“Në këtë rast përfaqësojmë më shumë pjesën e një nga ndërtesave që po bëjmë në Durrës, që është Durrës Tower, një nga ndërtesat më cilësore edhe përfaqësuese të kompanisë se ndodhemi në qendër të Durrësit, në qendrën historike të Durrësit, kështu që jemi 100 metra nga bashkia, 100 metra nga deti edhe nga porti. Jemi në një pozicion shumë strategjik edhe besoj se do të jetë një zhvillim që do të japë një si simbol për të gjithë qytetin e Durrësit”, tha ai.
Çela njoftoi se kjo është hera e parë që kompania prezantohet në Kosovë dhe pret interesim nga investitorët kosovarë. Sipas tij, panairi u ka krijuar mundësinë të prezantohen para një audience të re.
“Pozicioni që kemi ne, jemi te stenda numër 7, jemi në një pozicion shumë të mirë edhe jemi të kënaqur nga kjo nga ky panair. Jemi në një pozicion edhe brenda një qendre komerciale, kështu që edhe personat që nuk e dinë që është kjo që kjo event mund të kalojnë të na vizitojnë. Kemi oferta të dedikuara për personat që janë duke ardhur këto ditë të panairit edhe shpresojmë të kemi akoma më shumë njerëz…. 04:03… Benefite, po njihemi me një target të ri që normalisht nuk do vinte te ne te zyrat tona…. 04:28… Kështu që shpresojmë të kemi akoma më shumë lidhje edhe benefite të përbashkëta se gjithmonë një bashkëpunim lidhet të jetë win-to-win nga të dy palët”.
Në mesin e ekspozuesve është edhe kompania Focus Invest, e cila prezanton produkte për sektorin e ndërtimit dhe përfaqëson kompani ndërkombëtare në Kosovë.
Bujar Muharremi nga kjo kompani tha se Focus Invest është përfaqësuese e kompanisë Semin nga Franca dhe e kompanisë amerikane Titan, të cilat merren me prodhimin e produkteve për industrinë e ndërtimit.
Ai u shpreh i kënaqur me numrin e vizitorëve gjatë dy ditëve të para të panairit dhe vlerësoi se panairet janë një mjet i rëndësishëm për zhvillimin e bizneseve.
“Ne për momentin jemi shumë të kënaqur me prezencën, domethënë sot është dita e dytë, dje ka qenë një fluks i mirë i vizitorëve që na kanë vizituar… 06:26… Po unë mendoj që pjesëmarrja në panair është e domosdoshme për një biznes që dëshiron të zhvillohet, sepse je më afër klientëve të ndryshëm, domethënë ne kemi disa lloje klientësh, i kemi depot, i kemi individët. Edhe në panair ti e ofron mundësinë gjithmonë me të pa dhe të bësh prezantime. Kemi pjesë ku bëjmë prezantime direkte, domethënë ku njerëzit mund të shohin e të provojnë materialet të ndryshme dhe të japin përshtypjen e tyre, sepse edhe feedback-u i klientit është shumë i rëndësishëm”, tha ai.
Një nga kompanitë ndërkombëtare që po prezantohet në këtë panair është edhe MOOVNA nga Zvicra, e cila është një platformë e re imobilare dhe e patundshmërisë për tregun e Kosovës dhe Shqipërisë.
Përfaqësuesi i saj, Dardan Sopi, tha se kanë krijuar edhe një platformë të re për lehtësimin e blerësve potencial dhe qasjen e profesionistëve në patundshmëri.
Ai shtoi se kompania synon zgjerimin në Kosovë, Shqipëri dhe më pas në gjithë Ballkanin, ndërsa përmes këtij panairi po synon të forcojë praninë e saj edhe në tregun e Kosovës.
“Tash, mbasi veç e kemi lansuar platformën qe 10 ditë, është e rëndësishme të bëhemi ndoshta më të famshëm edhe këtu në tregun e Kosovës edhe të Shqipërisë, sepse kemi edhe ambicie të zgjerohemi më pas në të gjithë Ballkanin. Dhe kjo ishte ideja: do të jemi prezentë në çdo panair ku do të bashkohemi edhe me profesionistë të tjerë të tregut të patundshmërisë… 08:10… Në Kosovë është hera e parë për ne, pasi veç edhe e kemi bërë lansimin para 10 dite Është mirë, më pëlqen, sepse secilën herë po mendoj që edhe këtu në Kosovë kemi treg dhe po investohet sa herë e më shumë nga kompanitë edhe nga profesionistët në patundshmëri, që normalisht të marrim pak shembull për mirë nga Evropa edhe nga eksperienca, edhe nga profesionistët nga diaspora, për t’u munduar të paktën edhe ne në Kosovë në tregun tonë me qenë sa më profesionalë”, tha ai.
Për tri ditë, në “Prishtina Mall”, vizitorët kanë mundësi të njihen me ofertat e kompanive, materialet më të reja të ndërtimit, zgjidhjet inovative dhe projektet që synojnë të formësojnë zhvillimin e tregut në Kosovë dhe rajon.
