313 qytetarë i konvertuan patentë shoferët ilegalë në RKS, Kurti u bën thirrje serbëve ta vazhdojnë trendin

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë patentë shoferë të lëshuar nga strukturat paralele të Serbisë që t’i konvertojnë ato në patentë shoferë të Kosovës.

Kurti bëri të ditur se në më pak se dy javë, nga mundësia për konvertimin e patentë shoferëve kanë përfituar 313 qytetarë.

“Për 3 muaj, ata me patentë shoferë të lëshuar nga strukturat ilegale të Serbisë do të mund t’i konvertojnë në patentë shoferë të Kosovës. Në më pak se 2 javë nga kjo mundësi kanë përfituar 313 bashkëqytetarë tanë”, shkroi Kurti.

Procesi i konvertimit të patentë shoferëve ilegalë të lëshuar nga strukturat paralele të Serbisë ka nisur më 10 maj dhe pritet të zgjasë deri më 9 gusht të këtij viti.

Këtë proces e kanë përshëndetur partnerët ndërkombëtarë, të cilët e kanë cilësuar si hap lehtësues për integrimin e komunitetit pakicë serb.


Go to TOP