Vllahiu: Lajçaku do ta ketë të vështirë që t’i bindë Kurtin dhe Vuçiqin të takohen në dhjetor

Analisti Arbër Vllahiu thotë që i dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do ta ketë të vështirë që t’i bindë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që të takohen në dhjetor.

“Një përpjekje e Lajçak që të gjejë një bashkëpunim për agjendën e përbashkët dhe mirëkuptim për vendosje të dialogut në nivel të lartë duket se po bëhet me një vështirësi më të madhe, edhe ashtu siç  ishte në fillim të dialogut në kohën kur Kurti në qershor pati vendosur që të takohet për herë të parë me Vuçiqin”.

“Nëse Lajçak s’ka arritur që të bëjë bashkë Bislimin dhe Petkoviqin në Bruksel dhe gjatë gjithë kësaj periudhe kohore s’ka arritur t’i bindë të dyja palët është pak e besueshme që Lajçak do të mundet që brenda pak orëve, sa do qëndrojë në Prishtinë të arrijë t’i bindë palët që të ulen dhe të diskutojnë më tutje”, tha ai.

Tutje Vllahiu në një intervistë në Info Magazine,tha që tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur sërish pas një periudhe të gjatë.

“Sidomos në shtator e tetor të këtij viti dhe s’kemi parë nga BE-ja një përpjekje për të ndërtuar një mirëbesim mes palësh. Vizita e Lajçakut në Prishtinë më shumë ka të bëjë me një përpjekje për zhbllokimin e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – një proces i cili është bllokuar qe disa javë dhe kryesisht i përshkuar me një numër të tensioneve mes dyja palëve’”.

“Gjithashtu, Lajçak po bën përpjekje për të rivënë në binar edhe njëherë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe që palëve t’u ofrojë qëndrimet e Bashkimit Evropian se duhet përshpejtuar procesi dhe duhet gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë. Problemi qëndron në përcaktimin e agjendës së bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe ne kemi parë që edhe gjatë kësaj jave që të dyja palët kanë pasë pak mirëkuptim për përcaktimin e një agjende”.

Ndryshe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi po qëndron në Prishtinë.

Lajçak në Kosovë vjen pasi paraprakisht ka qëndruar në Beograd të Serbisë, ku është takuar me presidentin Aleksandër Vuçiq.

Go to TOP