“Se kanë kohën as vendin”, reagon Haradinaj pas debatit për shaminë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së sotme në Prizren, ka qëndruar edhe në Këshillin e Bashkësisë Islame në Prizren. Haradinaj uroi për muajin e shenjtë të Ramazanit të gjithë besimtarët myslimanë.

“Sot jam duke qëndruar në Prizren në vendin e vlerave ndërfetare. Tani jam në selinë e Bashkësisë Islame në Prizren, ku nga këtu ju uroj muajin e shenjtë të Ramazanit të gjithë besimtarëve mysliman. Uroj që të keni agjërim të lehtë dhe Zoti të ju pranon agjerimin” – tha mes tjerash Haradinaj.

Haradinaj po ashtu ka reaguar për debatin që nisi ditën e djeshme, që ndodhi në një shkollë në Gjakovë, rreth vendosjes së shenjës se ndalohet shamia, duke e konsideruar vendosjen e shenjave të tilla si të panevojshme.

“Dua të dërgoj edhe një porosi. Ne jemi një. Një komb një vlerë, nuk ndahemi. Kur them nuk ndahemi, do të dimë mos me ra në gracka dhe debate të panevojshme. Ju e patë se si ndodhi një debat për simbolet dhe gjërat e lejuara apo të palejuara në shkolla. Të ju them të drejtën ajo shenjë ishte e panevojshme në një shkollë. Ajo çështje do të duhej të trajtohet në kanalet e veta zyrtare dhe administrative, pra në vijën institucionale. Po jo të nxisim debate që se kanë kohën edhe vendin dhe të lëndojmë ndjenjat e ndërsjellta”, tha Haradinaj.

Imami kosovar Labinot Maliqi, dje i ka reguar drejtpërdrejt kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, lidhur me simbolin e vendosur në muret e shkollës “Nexhmedin Nixha” për ndalimin e shamisë.

Maliqi ka thënë se drejtorja e shkollës në Gjakovë, Florentina Gjergjaj është nga radhët e AAK-së.

Mesazhet e imamit për Haradinajn, janë shoqëruar me gjuhë të ashpër. Ai ka thënë se gratë e partisë së tij po bëjnë veprime fashiste.

“Ramush Haradinaj, nëse t’u kanë lodh mashqit, kujdes me gratë e partisë të cilat me veprime fashiste në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit po e luftojnë besimin e 98,6% të popullit të Kosovës. Pastaj mos thuaj se unë e respektoj Islamin, hoxhallarët dhe besimtarët e devotshëm, ndërsa në anën tjetër heshtë përballë veprimeve fashiste dhe islamofobe të kryera nga bashkëpartiakët tuaj. Drejtoresha e shkollës së mesme teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, Florentina Gjergjaj, e cila vije nga radhët e AAK-së, me plot mllef dhe fashizëm ka vendosur në hyrje të institucionit shenjën kundër vendosjes së shamisë në shkollë, duke e barazuar atë me pistoletën, duhanin dhe dukuritë e tjera negative”, ka thënë ai.

Go to TOP