‘Asnjë cent më shumë’: Vendimi i ZRRE-së me pasoja për stabilitet
Derisa Zyra e Rregullatorit për Energji pritet të mblidhet brenda pak ditësh ku do të vendoset për tarifat e reja të energjisë, grupi “Asnjë cent më shumë” ka listuar pasojat që mund të sjellë rritja e çmimit të energjisë dhe zinxhiri i ngritjes së çmimeve që pritet të pasojë pas asaj të energjisë.
Sipas tyre, rritja e çmimit të energjisë elektrike është faktor direkt i inflacionit.
“Inflacioni nuk është veç një term teknik, është një goditje reale për familjet, për bizneset dhe për mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës. Ja disa nga pasojat që ZRRE po i injoron: Çmimet e produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazike do të rriten menjëherë. Bizneset e vogla, që janë zemra e ekonomisë, rrezikojnë falimentimin për shkak të kostove të rritura. Qytetarët detyrohen të heqin dorë nga nevojat elementare për të përballuar faturat. Do të bie fuqia blerëse, do të rritet varfëria dhe do të thellohet pabarazia sociale. Do të shtohet mosbesimi në institucione dhe rreziku i mosbindjes qytetare (mospagimi, protesta, lidhje ilegale). Rritet presioni për emigrim ekonomik, sidomos tek të rinjtë.”, janë pasojat që sipas këtij grupi, pritet të përcillen me rritjen e çmimit të energjisë.
Kanë thënë se ZRRE-ja, nuk mund të sillet sikur është një zyrë teknike e shkëputur nga realiteti social dhe ekonomik i Kosovës. Ky vendim, sipas tyre, është me pasoja për stabilitetin e shtetit.
Ata kanë kërkuar nga ZRRE-ja që të ndalë procesin e rritjes së tarifës, të hapë diskutim publik e të organizojë tryeza me qytetarët dhe bizneset si dhe të ofrojë një analizë të plotë të ndikimit ekonomik dhe social para çdo vendimi.
“Ky nuk është momenti për tarifa të reja. Ky është momenti për reflektim, përgjegjësi dhe përfaqësim të interesit publik”, thuhet në fund të reagimit të këtij grupi.
