Osmani: Marrëdhënia jonë me SHBA-të dhe ndërkombëtarët e tjerë nuk duhet të përcaktohet nga dialogu me Serbinë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është deklaruar në një konferencë për media pas takimit që pati me Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të SHBA-së, Karen Donfried, si dhe zv.ndihmës Sekretarin e Shtetit, Gabriel Escobar.

Me këtë rast, Osmani ka deklaruar se sot Evropa është në një udhëkryq historik dhe politik dhe derisa po flitet për këtë, tashmë po përcaktohet historia e kontinentit tonë.

“Janë bërë 61 ditë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Republika e Kosovës jo vetëm që ka mbështetur popullin dhe pavarësinë e Ukrainës, por kemi dëshmuar partneritetin e sinqertë dhe orientimin tonë të palëkundur me veprime konkrete, duke qëndruar kundër tiranisë. E njëjta s’mund të thuhet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sot diskutuam për urgjencën në progres të dialogut, duke u përqendruar në njohje reciproke. Kosova është palë e vendosur në dialog dhe mbesim të përkushtuar ndaj këtij procesi që në qendër ka njohjen reciproke e nga ku do të përfitojnë të gjithë qytetarët tanë.”, tha Osmani.

Tutje ajo theksoi se është tashmë e ditur për shumë marrëveshje të cilat nuk po zbatohen nga Serbia, e të cilat ishin arritur në Bruksel.

“Natyrisht se ne sot diskutuam për urgjencën dhe nevojën për progres në procesin e dialogut, gjithnjë të përqendruar në njohjen reciproke.Kosova është dhe vazhdon të jetë palë konstruktive në dialog dhe se mbesim të përkushtuar ndaj  këtij procesi, i cili në qendër ka njohjen reciproke dhe nga i cili përfitojnë përfundimisht qytetarët tanë.Shpreha zhgënjimin tonë për moszbatimin e marrëveshjeve të shumta të nënshkruara në Bruksel nga ana e Serbisë, duke përfshirë këtu edhe refuzimin e Serbisë për  shpërbërjen e strukturave ilegale të cilat vazhdojnë të frikësojnë serbët e Kosovës, e përbëjnë sfidë serioze të sigurisë dhe sundimit të ligjit, e të cilat udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga Qeveria e Amerikës.”, tha Osmani.

Presidentja Osmani gjithashtu tha se kanë diskutuar edhe për nevojën për të intensifikuar tutje bashkëpunimin me SHBA-në, veçanërisht në ekonomi dhe në fushën e sigurisë duke pasur parasysh zhvillimet e fundit.

“Kemi marrë konfirmimin se aleatët tanë amerikanë do të jenë të përkushtuar për paqen në Ballkan e në mbarë kontinentit tonë. Jemi të gëzuar se sot dëgjuam edhe një herë nga aleati ynë më përkrahës se SHBA-të mbështesin fuqishëm rrugëtimin tonë euroatlantik, për të konsoliduar më tutje demokracinë në vend, e për të punuar për sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin, si dhe mbështesin integritetin territorial të Kosovës.Fola edhe për progresin e Kosovës, si dhe përkushtimin tonë të palëkundur për forcimin e shtetësisë sonë, për të garantuar dhe promovuar të drejtat e pakicave etnike. SHBA-të nuk kanë aleatë më të madh se Kosovën, në gjithë rajoni dhe më gjerë. Ne kemi mbështetur SHBA-të sipas mundësive tona, siç ishte pritja e refugjatëve afganistan, apo edhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë plotësisht në përputhje me aleatët tanë. Ne mund të jemi vend i vogël, por duke punuar me aleatët tanë si SHBA, do të vazhdojmë të kemi një impakt të madh në Evropë dhe Botë.”, shtoi Osmani.

Ajo falënderoi zyrtarët amerikanë për vizitën e tyre në Kosovë dhe në Ballkan.

Go to TOP