“Nuk është një shaka” Erdogan paralajmëron Greqinë të demilitarizojë ishujt e Egjeut

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka paralajmëruar sot Greqinë të demilitarizojë ishujt në detin Egje, duke thënë se rekomandimi i tij “nuk është një shaka”.

Turqia ka thënë se Greqia ka shtuar prezencën e saj ushtarake në kundërshtim të traktateve që garantojnë statusin e paarmatosur të ishujve në detin e Egje, duke argumentuar se ishujt i janë lënë Greqisë bazuar pikërisht në garancinë se do të mbeten të demilitarizuara.

“Ne ftojmë Greqinë të ndalojë armatimin e ishujve që kanë status të demilitarizuar, në përputhje me traktatet ndërkombëtare,“ tha Erdogan në ditën e fundit të manovrave ushtarake që Turqia po zhvillon në Izmir, në qytetin bregdetar të Egjeut. “Nuk po bëj shaka, e kam seriozisht. Ky komb është i vendosur”, tha ai.

Greqia e Turqia janë vende të aleancës së NATO-s por dy fqinjët kanë një histori debatesh territoriale siç është eksplorimi energjitik në lindje te detit Mesdhe dhe pretendimet për ishujt e Egjeut, që i janë dhënë Greqisë pas shembjes së Perandorisë Otomane në 1913.

Erdogan tha sot: “Ne paralajmërojmë Greqinë të qëndrojë larg endërrave dhe veprimeve për të cilat mund të pendohet, dhe të vijë në vete. Turqia nuk do të heqë dorë nga të drejtat e saj në Egje, ashtu siç nuk do të tërhiqet nga të drejtat e saj që lindin nga marrëveshja ndërkombëtare”.

Greqia pretendon se Turqia i keqinterperton qëllimisht traktatet prandaj mund të mbrohet nga veprimet e Ankarasë, shkruan rrjeti AP.

Në Athinë zëdhënësi i qeverisë greke Giannis Oikonomou tha se Greqia po përballet me  “provokime nga Turqia, të qeta por të vendosura.”

Erdogan përsëriti gjithashtu iniciativën e vendit për të nisur një ofensivë ndër-kufitare në veri të Sirisë me qëllim shtyrjen prapa të militantëve sirianë kurdë dhe krijimit të zonës së demilitarizuar 30 km të gjerë.

Turqia i konsideron militantët si degëzim i Partisë Punëtore Kurde (PKK) e cila është shpallur organizatë terroriste.

“Ne nuk do të lejojmë kurrë krijimin e impjanteve të terrorit përgjatë kufijve tanë, prandaj do të përfundojmë të gjitha pjesët e zonës tonë të sigurisë”, tha lideri turk.

“Ne shpresojmë që asnjë nga aleatët ose miqtë tanë të vërtetë të mos kundërshtojnë shqetësimet tona legjitime të sigurisë”, shtoi Erdogan.

Ai tha se ofensiva e re turke në Siri do të godasë qytetet e Tall Rifat e Manbixh, në perëndim të lumit Eufrat, nga ku sipas tij luftëtarët kurdë kanë nisur sulme ndaj objektivave turke.

Go to TOP