Murati nënshkruan Udhëzimin e ri Administrativ për arkat fiskale: Nis reforma drejt sistemit digjital të fiskalizimit
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka nënshkruar Udhëzimin e ri Administrativ për arkat fiskale, në kuadër të zbatimit të Ligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore. Ky udhëzim vjen pas një pune intensive nga grupi punues dhe synon të reformojë tërësisht sistemin aktual, duke e bërë atë plotësisht digjital.
Sipas ministrit Murati, udhëzimi parasheh një periudhë tranzitore për kalimin nga sistemi ekzistues në sistemin e ri softuerik të fiskalizimit. Bizneset që tashmë kanë arka fiskale do të njoftohen me kohë për afatet dhe mënyrën e kalimit, ndërsa bizneset e reja ose ato që ende nuk kanë sistem fiskalizimi do të kenë një periudhë kalimtare prej 60 ditësh për të instaluar sistemin e ri.
Sistemi i ri do të bazohet në softuerë të ofruar nga ofrues të licencuar, ndërsa Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) tashmë ka zhvilluar takime informuese me disa prej tyre. Procesi i komunikimit dhe bashkëpunimit me ofruesit e zgjidhjeve softuerike do të vazhdojë.
Për zhvilluesit e interesuar në ndërtimin e aplikacioneve të fiskalizimit, është vënë në dispozicion kodi burimor dhe dokumentacioni përkatës në platformën GitHub, në këtë adresë: https://github.com/fiskalizimi/pos-golang
Ky udhëzim përbën një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të administrimit tatimor në Kosovë, duke shtuar transparencën dhe efikasitetin në sistemin fiskal. /Kosova.info/
