Mehmetaj: Qëllimi final i Albin Kurtit është të shkatërrojë sistemin, jo thjesht të uzurpojë Kuvendin
Gazetari Lirim Mehmetaj ka bërë një reagim të fortë lidhur me zhvillimet politike në vend dhe rolin e kryeministrit Albin Kurti në to. Sipas tij, qëllimi përfundimtar i Kurtit nuk është vetëm uzurpimi i Kuvendit, por rrënimi i të gjithë sistemit demokratik dhe institucional të Kosovës.
“Qëllimi final i Albin Kurtit nuk është ta uzurpojë Kuvendin, por ta vrasë komplet sistemin,” shkruan Mehmetaj. Ai thekson se Kurti, për momentin, ka uzurpuar institucionin më të lartë legjislativ dhe nuk i përgjigjet Prokurorisë si çdo qytetar i zakonshëm. “Është personi i vetëm në planet që thotë se është edhe deputet edhe Kryeministër,” ironizon gazetari.
Ai e kritikon ashpër Kurtin për sjelljet kontradiktore dhe hipokrite: “Është i vetmi që thotë se është për transparencë dhe në të njëjtën kohë kërkon votim të fshehtë. Sulmon Gjykatën Kushtetuese, por përdor vendimet e saj për të justifikuar veprimet e tij.”
Sipas Mehmetajt, Kurti vepron si shumicë parlamentare ndonëse realisht nuk e ka atë. Ai e konsideron këtë si një segment të planifikuar në rrugën drejt një synimi të rrezikshëm – shkatërrimit të sistemit që e rrezikon Kurtin politikisht dhe personalisht.
“Me këtë sistem, Albin Kurti fillimisht do ta humbë pushtetin, më pas përkrahjen, dhe në fund edhe lirinë – sepse do të përfundojë në burg,” thekson Mehmetaj duke sugjeruar se kreu i ekzekutivit ka vetëdije të plotë për këtë rrjedhë të mundshme.
Ai e mbyll reagimin me një paralajmërim serioz për shoqërinë: “Fatkeqësisht, shumë pak veta e shohin këtë qëllim dhe me gjasë edhe më pak janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka për ta ndalur drejt këtij synimi.” /Kosova.info/
