Lajçak: Ka hapësirë për progres në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak tha më 25 nëntor se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, derisa theksoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë Bashkimin Evropian.

Lajçak ka qëndruar për vizitë njëditëshe në Prishtinë me ç’rast u takua me krerët e institucioneve të Kosovës.

Gjatë takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Lajçak tha se ka nevojë për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Në anën tjetër, presidentja Osmani deklaroi që Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialogun me Serbinë. Sipas saj, suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Kosovën, por edhe rajonin.

Megjithatë sipas Osmanit epilogu i dialogut do të duhej të ishte njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, thuhet në njoftimin e presidencës kosovare.

Lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë, në një intervistë , ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është e pritshme që marrëveshja finale të arrihet gjatë mandatit të tij.

Bisedimet për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë filluar qysh në vitin 2011. Që nga ajo kohë janë arritur një sërë marrëveshjesh, porse shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.

Dialogu u ndërpre disa herë për arsye të ndryshme. Por, së fundmi pengesë në dialog u bë, marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës.

Qëllim i dialogut thuhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për të dyja palët.

Go to TOP