Konjufca: Kosova dje humbi njërin prej miqve më të mirë të saj

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe, ka vendosur kurorë me lule dhe ka bërë homazhe te busti i senatorit amerikan Bob Dole, i cili ndërroi jetë dje në moshën 98-vjeçare.

Kryeparlamnetari Konjufca tha me këtë rast se Kosova dje humbi njërin prej miqve më të mirë që pati, senatorin Bob Dole, i cili, siç tha ai, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës.

“Kontributi i tij filloi qysh herët gjatë procesit të shpërbërjes së ish- Jugosllavisë, kur shqiptarët ishin në një gjendje shumë të rëndë dhe ajo për çka kishin më së shumti nevojë ishin miqtë e vërtetë. Dhe atë mik e gjeti në qëndrimet e palëkundshme të senatorit Bob Dole, i cili e ka shtyrë përpara pavarësinë e Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit theksoi se në lidhje me këtë kontribut, populli i Kosovës, por edhe populli shqiptar në përgjithësi, senatorit Bob Dole do t’i jetë përjetësisht  falënderues. /Kosova.info/

Go to TOP