Haradinaj kërkon dorëheqjen ose shkarkimin e Kurtit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se subjekti i tij politik do të mbështesë shpërndarjen e legjislaturës aktuale vetëm në rast të dorëheqjes ose shkarkimit të kryeministrit Albin Kurti.

Reagimi i Haradinajt vjen pas takimit të sotëm të kryeministrit Kurti me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë së fundmi është aktualizuar një nismë për shpërbërjen e parlamentit, e që sipas tij s’ka asnjë mëdyshje se prapa kësaj nisme është kryeministri.

“Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”, ka shkruar Haradinaj. /Kosova.info/

Go to TOP