Haradinaj: E morëm vesh se nga kush po ndikohet LVV-ja, po i mbron interesat e Stanishiqit e Rankoviqit

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj tha në Kuvendin e Kosovës se Lëvizja Vetëvendosje në psuhtet po “mbron interesa të kompanisë ose interesave politike të njerëzve të Stanishiqit dhe Rankoviqit”.

Haradinaj ka pyetur se pse “LVV është kundër energjisë amerikane”, përgjigjen për të cilën tha se e ka marrë tash së fundmi.

“Vetëvendosje është kundër burimeve të qëndrueshme të energjisë vetanake në Kosovë, e po ashtu kundër energjisë amerikane, pra kundër rolit amerikan në energjinë e Kosovës”, tha ai.

“Pyetja shtrohet, kah i kanë marrë këta njerëz informatat apo këshillat? Kush ka ndikuar në trurin e këtyre njerëzve që janë shumë të zotë dhe të mençur edhe dinë me e mbajtë leksione përditë këtu… si ka ardhë deri te këto qëndrime Lëvizja Vetëvendosje? Nga i ka ardhë ndikimi? Nga i kanë ardhë këshillat”, theksoi kreu i AAK-së.

Sipas tij, skandali financiar në Slloveni në të cilin dyshohet të jetë përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka lidhje me LVV-në dhe njerëzit e saj.

“Përgjigjen e kemi marrë tani, edhe atë krejt rastësisht, nga transaksionet e një mendimtari të Vetëvendosjes, pra i njërit nga ata që ka ndikim te vendimet e tyre. Me siguri nuk është i vetmi, dhe me siguri nuk e ka bërë vetëm për vete transaksionin. Por bëhet fjalë për një mendësi kolektive e lidhur dhe e varur pikërisht nga ca, për të cilët në vazhdimësi Vetëvendosje e ka paralajmëruar Kosovën”, tha ai.

Haradinaj në fund pati një këshillë për deputetët e LVV-së.

“Tani ata që në LV dëshirojnë ta vërtetojnë të kundërtën, është mirë të gjejnë argumente”.

Go to TOP