DASH para 5 ditësh apeloi shtetasit amerikanë që të kenë kujdes nga sulmet e mundshme terroriste në Kosovë

Në një “Këshillim për Udhëtim në Kosovë” të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit para pesë ditësh (22.11.2021) gjithashtu nuk përjashtohet mundësia e rrezikut të një sulmi terrorist në Kosovë.

Sipas këtij publikimi në travel.state.gov i cili i takon datës 22.11.2021 përveç rrezikut të COVID-19 përmendet edhe rreziku nga terrorizmi në disa zona me rrezik të shtuar.

Në pjesën e dytë të këtij publikimi, kërkohet nga shtetasit amerikanë të rikonsiderohet udhëtimi në qytetet veriore të Kosovës si Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveçani.

“Grupet terroriste vazhdojnë të komplotojnë sulme të mundshme në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën. Terroristët mund të sulmojnë me pak ose aspak paralajmërim, duke synuar vendndodhje turistike, qendra transporti, tregje/Qendra Tregtare, objekte të qeverisjes vendore, hotele, klube, restorante, vende kulti, parqe, ngjarje të mëdha sportive dhe kulturore, institucione arsimore, aeroporte dhe të tjera hapësira publike”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në këtë publikim rekomandohet të evitohet vizita në komunat veriore të Kosovës për shkak se mund të jenë burim i mundshëm i trazirave.

Kosova.info më herët ka shkruar rreth raportimeve në media për një sulm të mundshëm terrorist në Kosovë. Raportimet i referohen e-mail’eve interne të misioneve të huaja në Kosovë në të cilat thuhet se në Kosovë ekziston rreziku potencial i një sulmi terrorist nga një person i vetëm.

Në ato komunikime, gjithashtu thuhet se policia e Kosovës e ka nën monitorim të vazhdueshëm personin e dyshuar. Por në këto komunikime të cilat raportohet të jenë të brendshme të ambasadave, thuhet gjithashtu se cak i sulmeve mund të jenë Qendrat Tregtare dhe stafi i ambasadave këshillohet të shmangin frekuentimin e tyre deri më datë 30 nëntor.

Sipas informacioneve, në orët e mbrëmjes një grup i ushtarëve të KFOR-it (rreth 7-8 persona) kanë zbarkuar në këtë Qendër Tregtare dhe kanë patrulluar, njëlloj patrullim ka pasur edhe sot gjatë orëve të pasditës në të njëjtën Qendër Tregtare.

Pa iu referuar direkt pyetjes konkrete lidhur me këto raportime, policia kanë thënë se: “Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform autorizimeve ligjore që ka trajton ç’do informacion apo çështje e cila ndërlidhet me fushëveprimin policorë.”

Gjithashtu, në këtë përgjigje të policisë së Kosovës thuhet se varësisht nga natyra e informacionit dhe të gjeturave, policia ndërmerr veprimet e saj operacionale në koordinim me organet e drejtësisë – me interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform autorizimeve ligjore që ka trajton ç’do informacion apo çështje e cila ndërlidhet me fushëveprimin policorë. Varësisht nga natyra e informacionit dhe rezultimit të të gjeturave, ndërmerr veprimet e saja operacionale në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend.”, thuhet në përgjigjen e policisë së Kosovës.

Go to TOP