1400 drejtorë shkollash janë të trajnuar në udhëheqjen arsimore

Ministria e Arsimit certifikoi pjesëmarrësit në trajnimin e organizuar në kuadër të projektit “Aftësim për tregun e punës”.

Projekti mbështetet nga GIZ-i gjerman.

Shqipe Dobra është mësimdhënëse e matematikës në shkollën fillore “Xhemail Mustafa” në Prishtinë.

Ajo është mes atyre që mori certifikatën nga trajnimet e ofruara nga GIZ, për hartimin e testeve profesionale dhe kompetenca digjitale në mësimdhënie.

“Nga kompetenca digjitale në mësimdhënie kemi arrit të përfitojmë jashtëzakonisht shumë. Pikërisht unë si trajnere pastaj edhe mësimdhënësit të cilët i kam trajnuar një grup të mësimdhënësve e ajo çka është më e rëndësishme, përfitimi i nxënësve nga ky trajnim. Nxënësit, pasi që e kam përfundua unë trajnimin, kanë përfituar programe të ndryshme si me zbatua digjitalizimin përmes programeve të ndryshme. Vlen të theksohet se nxënësit tashmë dinë të krijojnë kuize përmes aplikacionit KAHUT gjë që po shpreh shumë entuziazëm te ata”, ka thënë Dobra.

Edhe Arbënore Shehu, së bashku me 10 trajnerë të tjerë të certifikuar për këshillim në karrierë, në kuadër të shoqatës së psikologëve, thotë se përvojën e kanë bartur edhe tek 77 psikologë shkollorë edhe pedagogë në disa komuna të Kosovës.

“E gjithë komponenta e Edukimit në karrierë e orientimit në karrierë edhe pjesa e edukimit dhe pjesa e këshillimit për karrierë është shumë e nevojshme që me u integrua në shkolla në këtë formë profesionale ashtu siç e ka mbështetë GIZ-i edhe me pas qëndrueshmëri, edhe pse projekti përfundon me pas qëndrueshmëri edhe në të ardhmen në shkolla. Kështu që është shumë e rëndësishme për fëmijët me u edukua dhe me u këshilluar gjatë procesit të tyre edukativ edhe për orientimin në karrierë”, ka thënë Shehu.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e certifikimit të pjesëmarrësve në trajnimet: Edukimi në Karrierë, Këshillimi në Karrierë dhe Kompetenca Digjitale, mori pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Fal bashkëpunimit tonë të frytshëm, ne kemi tashmë 1400 drejtor të shkollave të cilët janë të trajnuar në udhëheqjen arsimore nëpërmes programeve të mbështetur nga GIZ-i, kemi 5000 mësimdhënës të trajnuar në didaktikë, metodologji dhe lëndë shkencore, kemi 500 mësues, 2500 nxënës dhe mbi 300 prindër të cilët janë përfitues nga masat e ngritjes së kapaciteteve për të lehtësuar kalimin në arsimin dhe aftësimin profesional”, ka thënë Ngavci.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se qeveria e tij i ka mbështetur në vazhdimësi institucionet e Kosovës për përmirësimin e cilësisë në arsim.

“Në 15 vitet tona të bashkëpunimit në sektorin e shkollimit fillor, qeveria gjermane ka mbështetur institucionet Kosovare në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe përmirësimin e mundësisë së punësimit të të rinjve. Duke kontribuar rreth 35 milion euro për të ofruar një shkollim të përmirësuar. Së bashku kemi themeluar bazën ligjore për të rregulluar sektorin parauniversitar duke mbështetur ministrinë në hartimin e ligjeve dhe strategjive dhe që kanë për synim arritjen e caqeve kombëtare si p.sh, Ligjin për arsimin parauniversitar, Ligjin për Maturën, Ligjin për aftësim profesional që janë disa prej tyre”, ka thënë Rohde.

Falë këtij projekti, janë trajnuar 1400 drejtorë shkollash, 5 mijë mësimdhënës në didaktikë, metodologji dhe lëndë shkencore, 500 mësues, 2500 nxënës dhe mbi 300 prindër, për ngritjen e kapaciteteve për të lehtësuar kalimin në arsimin dhe aftësimin profesional.

Go to TOP