Syla: Kosova po hyn në një fazë të rrezikshme politike me pasoja të gjata
Gazetari dhe diplomati Donat Syla ka ngritur shqetësime serioze mbi situatën politike në Kosovë duke paralajmëruar për pasoja të rënda që mund të zgjasin për një kohë të gjatë. Ai thekson se këto pasoja mund të ishin zbutur, ose madje evituar, nëse vendi do të udhëhiqej nga një elitë politike që ruan marrëdhënie të përgjegjshme me aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Sylës, përgjegjësia kryesore për krizën i takon kryeministrit Albin Kurti, i cili, siç thotë ai, “me bekimin dhe mbështetjen e shumicës, ka hyrë në një rrugë të gabuar”. Ai shprehet se pasojat fatale do të bëhen të dukshme gjatë këtij viti dhe se ato duhet t’i faturohen atij që i ka shkaktuar.
“Asnjë koalicion opozitar dhe asnjë izolim i Kurtit nuk do ta shpëtojë më Kosovën nga pasojat fatkeqësisht fatale,” ka theksuar Syla duke shtuar se edhe nëse opozita bashkohet me Vetëvendosjen ose jo, militantët politikë do të gjejnë dikë për t’ia faturuar fajin.
Në përfundim, ai e konsideron situatën tashmë të pakthyeshme dhe e fajëson të gjithë shoqërinë për këtë gjendje, duke e quajtur si një “greminë” të cilën vendi po e përgatit për veten e tij. “Faleminderit” kryeministër dhe të gjithë ju që valorizuat këtë frymë!”, përfundon ai. /Kosova.info/
