Zyrtarë të Urbanizmit dhe Kadastrit në Gjakovë dyshohen për bartje të paligjshme të pronave

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale në Prizren, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorime në Komunën e Gjakovës. Hetimet janë zhvilluar nën autorizimin e prokurorit të shtetit dhe kanë përfshirë zyrtarë nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër.

Sipas informacioneve zyrtare, katër persona të dyshuar, dy burra dhe dy gra, dyshohet se gjatë viteve 2018 dhe 2019 kanë lejuar në mënyrë të kundërligjshme bartjen e pronave në emër të personave të tretë, pa dijeninë dhe pa autorizimin e pronarëve legjitimë.

Hetimet kanë rezultuar me sigurimin e provave që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se këta zyrtarë kanë lëshuar pëlqime dhe vendime për parcelizim dhe bartje prone në kundërshtim me ligjin.

Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të mbrojtësve të tyre ligjorë, ndërsa ndaj tyre është iniciuar procedura penale për veprën “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Me vendim të prokurorit të çështjes, të katër të dyshuarit janë ndaluar për një periudhë deri në 48 orë, në pritje të veprimeve të mëtejshme ligjore. /Kosova.info/

Go to TOP